Foto nga VCG
Presidenti Emmanuel Macron deklaroi se Franca do të nisë një anije të Marinës për të dërguar ndihmë në spitalet në Rripin e Gazës.
Anija do të niset nga porti ushtarak francez në Tulon, në Detin Mesdhe.
Po ashtu, një avion francez do të dërgojë në Egjipt pajisje mjekësore, të cilat më pas do të dërgohen me kamionë në Gaza, bën të ditur “Panorama”.
Presidenti Macron tha se do të ketë ndihma të tjera, duke theksuar se Franca dëshiron që t’u ofrojë civilëve në Gazë qasje në ilaçe dhe kujdes shëndetësor.
Deklarata e presidentit francez u bë nga Egjipti, nga ku theksoi dhe se nuk mund të ketë standarde të dyfishta, pasi ligji ndërkombëtar vlen për të gjithë.
“Të gjithë viktimat meritojnë dhembshurinë dhe përkushtimin tonë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Po ashtu, ai vizitoi edhe Izraelin për të shfaqur mbështetjen e Francës për vendin pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Vizita përfshiu edhe ndalesën në Ramallah, në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku u takua me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. (Irma)