Foto nga VCG
Qeveria gjermane miratoi projektligjin që synon përshpejtimin e procedurave të dëbimit për azilkërkuesit e parregullt. Objektivi kryesor i projektligjit, i paraqitur nga ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, është reduktimi i numrit të dëbimeve që dështojnë në momentin e fundit, njofton “ATSH”.
Planet përfshijnë gjithashtu masa më të ashpra kundër kontrabandistëve dhe shtim të kompetencave të autoriteteve.
Sipas ligjit të ri, autoritetet do të lejohen të hyjnë në dhomat e palëve të treta me qëllim kërkimin e atyre që do të dëbohen. Në disa rrethana, autoriteteve nuk do t’u kërkohet më të shpallin dëbimet paraprakisht.
Kabineti synon gjithashtu që në të ardhmen të jetë në gjendje të dëbojë më lehtë anëtarët e organizatave kriminale.
Për të lehtësuar barrën e autoriteteve, qëndrimi në Gjermani gjatë procedurës së azilit duhet të autorizohet për gjashtë muaj në vend të tre muajve aktualë.
“Përpara miratimit të projektligjit ka pasur shumë mosmarrëveshje për gjetjen e mënyrave më të mira për të trajtuar në mënyrë efektive emigracionin e parregullt dhe për të vendosur drejtësinë ndaj përgjegjësisë humanitare të Gjermanisë”,- tha Faeser.
Sipas saj, plani për t’u ofruar refugjatëve më shumë mundësi për të punuar në Gjermani pritet të miratohet nga Kabineti javën e ardhshme.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më 30 shtator, 255.330 emigrantë në Gjermani u detyruan të largoheshin nga vendi, nga të cilët 205.196 u pezulluan përkohësisht nga dëbimi për arsye faktike ose ligjore. (Irma)