Foto nga VCG
Një marrëdhënie paqësore dhe bashkëpunimi midis SHBA-së dhe Kinës është thelbësore për paqen dhe përparimin e botës, deklaroi ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry A. Kissinger, citon “Xinhua”.
“Paqja dhe përparimi midis Kinës dhe SHBA-së është në interesin vetjak të secilit vend dhe të botës”,- tha Kissinger në fjalimin e tij pasi u nderua në darkën vjetore gala të Komitetit Nacional për Marrëdhëniet SHBA-Kinë (NCUSCR), në Nju Jork.
“Kam kaluar gati gjysmën e jetës sime duke punuar në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Më pëlqen populli kinez, jam i impresionuar nga kultura kineze”,- tha ai, duke theksuar se është i bindur se marrëdhëniet mes dy vendeve varen nga mirëkuptimi dhe aftësia unike për të sjellë paqe dhe përparim në botë.
Ai shprehu besimin se dy ekonomitë më të mëdha në botë do të gjejnë mënyra për të rregulluar marrëdhëniet e tensionuara.
“Unë besoj tani, siç kam besuar 50 vjet më parë, se ne mund të gjejmë rrugën tonë përmes këtyre vështirësive”,- tha Kissinger.
“Ne në SHBA duhet të shmangim dhënien e përshtypjes se po largohemi nga koncepti i një Kine, të cilit i jemi përkushtuar. Ky ishte një angazhim i vërtetë në Komunikatën e Shangait”, tha Kissinger.
NCUSCR është një organizatë jofitimprurëse dhe organ këshillues i themeluar në vitin 1966, për të rritur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. (Irma)