Kina, e gatshme të vazhdojë koordinimin me Arabinë Saudite për çështjen e Palestinës
2023-10-27 17:15:55

Foto nga MPJ

Kina është e gatshme të mbajë komunikimin dhe koordinimin me Arabinë Saudite për të promovuar zgjidhjen e gjithanshme dhe të drejtë për çështjen e Palestinës, tha të enjten i dërguari i posaçëm i Kinës për Lindjen e Mesme Zhai Jun.

Gjatë një takimi në Arabinë Saudite me zëvendësministrin e Jashtëm të këtij vendi Waleed Al-Khuraiji, Zhai vuri në dukje se konflikti ka shkaktuar shumë viktima civile dhe ka përkeqësuar situatën humanitare, duke kërkuar të bëhen përpjekje për zbutjen e situatës për të krijuar kushte për zgjidhjen politike.

Rifillimi i bisedimeve të paqes palestinezo-izraelite mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete është e vetmja rrugë pragmatike për të dalë nga rrethi vicioz i konfliktit midis dy palëve, theksoi ai. 

Nga ana e tij, Al-Khuraiji tha se Arabia Saudite e vlerëson qëndrimin afatgjatë dhe të drejtë të Kinës për çështjen e Palestinës dhe është e gatshme të punojë me palën kineze për të promovuar paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon sa më parë. (Çang Çuo)