Presidenti i Këshillit të Europës kërkon garantimin e ndihmave humanitare në Gaza
2023-10-27 15:01:27

Foto nga VCG

Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, në letrën e tij drejtuar liderëve në prag të samitit të BE-së, e cilësoi shqetësuese përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza.

“Duhet të diskutojmë se si të garantojmë urgjentisht ndihmën humanitare dhe aksesin e tyre për nevojat më elementare. Ne duhet të angazhohemi, në një front të bashkuar dhe koherent, me partnerët, për të shmangur një përshkallëzim të rrezikshëm rajonal të konfliktit”, -deklaroi Michel, përcjell “ATSH”.

Sipas tij, rifillimi i procesit të paqes bazuar në zgjidhjen me dy shtete është e vetmja rrugë përpara, duke e cilësuar një tragjedi situatën në Lindjen e Mesme.

“Ne shprehëm qëndrimin tonë të përbashkët në deklaratën e 15 tetorit dhe dënojmë në termat më të ashpër të mundshëm sulmet brutale dhe terroriste nga Hamasi kundër Izraelit dhe njohim të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare. Ne ripërsërisim thirrjen tonë për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”, shkruan në letër Michel. (Irma)