Pamja në Guangzhou të Kinës Jugore / foto nga CFP
Ministria e Ekologjisë dhe e Mjedisit mbajti të premten një konferencë shtypi, gjatë së cilës Xia Jingxian, drejtor i departamentit të Ndryshimit të Klimës, deklaroi se Kina po nxit një transformim të gjelbër të gjithanshëm të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe ndërtimin e një shoqërie të modernizuar në të cilën qeniet njerëzore jetojnë në harmoni me natyrën.
Xia tha se Kina ka forcuar objektivat e saj të ndryshimit klimatik dhe po përpiqet të arrijë kulmin e lëshimeve të karbonit brenda vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri më 2060, çka është një angazhim i fortë klimatik në përputhje me Marrëveshjen e Parisit.
Sipas tij, në vitin e kaluar sasia e përgjithshme e lëshimeve të karbonit të Kinës vazhdoi të ulet, përpjesëtimi i konsumit të energjisë jofosile në konsumin e përgjithshëm të energjisë arriti 17.5 për qind, kapaciteti i instaluar i prodhimit të energjisë së përtëritshme ishte më shumë se 1.2 miliard kilovatë dhe norma e mbulimit me pyje arriti në 24.02 për qind.
Prodhimi dhe shitja e makinave me energji të reja në Kinë janë renditur në vendin e parë në botë për tetë vjet me radhë dhe energjia jofosile po zhvillohet shpejt, me më shumë se 750 milionë kilovatë energji ere dhe fotovoltaike të instaluar deri në fund të vitit 2022, dhe niveli i përdorimit të energjisë fosile më të pastër po rritet vazhdimisht, sipas Xia.
Tregu i lëshimeve të karbonit i Kinës, më i madhi në botë lidhur me shkallën e mbulimit të lëshimeve të gazrave serrë, nisi tregtimin në internet në korrik 2021 dhe mbulon tani më shumë se 5 miliardë tonë lëshime të dyoksidit të karbonit në vit.
Xia tha se Kina ka forcuar ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe vlerësimin e rrezikut, ka thelluar ndërtimin eksperimental të qyteteve të përshtatshme ndaj klimës dhe ka nxitur përshtatjen me ndryshimet klimatike në rajone të tilla si rrafshnalta Qinghai-Xizang dhe pellgu i Lumit të Verdhë.