Foto nga VCG
Kina investoi një rekord prej 860.1 miliardë juanë (rreth 120 miliardë dollarë amerikanë) në ndërtimin e objekteve të ruajtjes së ujit në nëntë muajt e parë të vitit, deklaroi zëvendësministri i Burimeve Ujore, Chen Min, gjatë një konference për shtyp, citon “Xinhua”.
Sipas tij, vendi krijoi kushte për 24.900 projekte të ruajtjes së ujit gjatë kësaj periudhe, me një rritje prej 12.9 për qind në bazë vjetore.
“Projektet e ruajtjes së ujit po luajnë një rol më të madh në krijimin e vendeve të punës”,- tha Chen.
Të dhënat zyrtare tregojnë se këto projekte punësuan rreth 2.21 milionë njerëz në nëntë muajt e parë të vitit, me një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me 2022-shin.
Ministria bëri të ditur se do të përshpejtojë riparimet e dëmeve nga uji në objektet e ruajtjes së ujit për pjesën e mbetur të vitit dhe do të punojë për të siguruar që investimi vjetor në ndërtimin e këtyre objekteve të tejkalojë shifrën e vitit të kaluar prej 1.09 trilionë juanë. (Elona)