Blinken paralajmëron Iranin në OKB: Mos guxoni të sulmoni amerikanët
2023-10-26 10:45:00

Foto nga VCG

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Iranin se nëse vendi apo aleatët e tij sulmojnë personelin amerikan kudo ndodhet, atëherë SHBA-ja do të reagojë me të gjithë forcën e saj.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, kryediplomati amerikan i bëri të qartë Iranit se do të marrë përgjigjen që meriton nëse përpiqet të sulmojë SHBA-në, citon “RTSH”.

“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me Iranin. Ne nuk duam që kjo luftë të zgjerohet. Por nëse Irani ose përfaqësuesit e tij sulmojnë personelin amerikan, mos e bëni atë gabim! Ne do të mbrojmë popullin tonë, do të mbrojmë sigurinë tonë, me shpejtësi dhe me vendosmëri”,- tha Blinken gjatë sesionit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sekretari amerikan i Shtetit tha gjithashtu se do të bisedojë me kryediplomatin kinez për të parandaluar përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, kur ata të takohen këtë javë në Uashington.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pretendoi për shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga Izraeli. (Elona)