Putin dhe Erdogan shprehin mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete të krizës palestinezo-izraelite
2023-10-26 11:18:12

Putin dhe Erdogan në shtatorin e këtij viti (Foto nga VCG)

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, përsëritën mbështetjen e tyre për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit palestinezo-izraelit, gjatë një bisede telefonike të martën.

Pozicionet e Rusisë dhe Turqisë praktikisht përkojnë dhe të dyja vendet mbështesin zgjidhjen me dy shtete, e cila parashikon krijimin e një shteti të pavarur palestinez që bashkëjeton krah për krah me Izraelin në mënyrë paqësore, bëri të ditur Kremlini, citon “Xinhua”.

Të dy palët shprehën shqetësim të thellë për numrin në rritje të viktimave civile dhe përkeqësimin katastrofik të situatës humanitare në Rripin e Gazës, vuri në dukje Kremlini.

Ata dënuan sulmet që synonin zonat e banuara, si dhe objektet fetare ose sociale. Erdogan dhe Putin diskutuan gjithashtu hapat diplomatikë që po ndërmerren aktualisht nga Rusia dhe Turqia, që synojnë ndalimin e gjakderdhjes dhe sigurimin e shpërndarjes së papenguar të ndihmës humanitare, shtoi Kremlini. (Elona)