Kina nxjerr rregullore për mbrojtjen e të miturve në hapësirën kibernetike
2023-10-25 10:52:22

Foto nga VCG

Kryeministri kinez, Li Qiang, ka nënshkruar një urdhër të Këshillit të Shtetit për të nxjerrë një sërë rregulloresh për mbrojtjen e të miturve në hapësirën kibernetike.

Dokumenti rregullator, i përbërë nga 60 nene në 7 kapituj, do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024, sipas një deklarate zyrtare, cituar nga “Xinhua”.

Meqenëse zhvillimi i shpejtë i internetit ka zgjeruar hapësirën për të miturit për të jetuar dhe mësuar, ai gjithashtu ka ngjallur vëmendjen e mbarë shoqërisë për mbrojtjen e të miturve në hapësirën kibernetike, thuhet në deklaratë.

Rregulloret synojnë të krijojnë një mjedis të shëndetshëm online për të miturit në vend, të mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre legjitime dhe të ofrojnë mbështetje ligjore në këtë drejtim, thuhet në deklaratë.

Dokumenti sqaron përgjegjësitë e departamenteve qeveritare përgjegjëse për internetin dhe teknologjinë e informacionit, shtypin dhe publikimin, sigurinë publike dhe rregullimin e tregut, ndër fusha të tjera, në mbrojtjen e të miturve në hapësirën kibernetike.

Dokumenti nënvizon rëndësinë e promovimit të shkrim-leximit dhe moralit në internet te të miturit përmes forcimit të roleve arsimore të shkollave dhe kujdestarëve.

Ai inkurajon dhe mbështet prodhimin, publikimin dhe shpërndarjen e informacionit në internet që është i favorshëm për zhvillimin e shëndoshë të të miturve.

Sjelljet kibernetike që synojnë të miturit nga çdo organizatë apo individ janë të ndaluara, sipas dokumentit, i cili nënvizon mbrojtjen e të dhënave personale të të miturve dhe masat për t'i parandaluar ata të bëhen të varur nga interneti. (Elona)