Foto nga VCG
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, nënshkroi protokollin për anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Në një postim nga llogaria e medias sociale të Kryesisë së Komunikimeve të Presidencës turke, përcjellë nga “RTSH”, thuhet: “Protokolli për anëtarësimin e Suedisë në NATO u nënshkrua nga presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe u dërgua në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë”.
Kryeministria suedeze mirëpriti nënshkrimin e protokollit.
“Procedurat parlamentare do të fillojnë tani. Ne mezi presim të bëhemi anëtar të NATO-s”,- thuhet në një postim të kryeministrisë në rrjetet sociale.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.
Turqia miratoi më parë anëtarësimin e Finlandës në NATO, por kishte njoftuar se ishte duke pritur që Suedia t’i përmbahej një memorandumi trepalësh të nënshkruar në qershor 2022 në Madrid, për të adresuar shqetësimet e sigurisë të Turqisë.
Të gjithë anëtarët e NATO-s, duke përfshirë Turqinë, një anëtare e aleancës prej mbi 70 vitesh, duhet të miratojnë pranimin e çdo anëtari të ri të aleancës. (Elona)