Foto nga VCG
Njëzet kamionë që transportonin furnizime humanitare që hynë në Gaza nga Egjipti të hënën janë shumë larg të qenit të mjaftueshëm, bëri të ditur Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), citon “Xinhua”.
20 kamionë kaluan pikën kufitare Rafah në Gaza të hënën. Gjysma e kamionëve mbanin furnizime të OKB-së me ujë, ushqim dhe ilaçe.
Sipas OCHA-së, të shtunën dhe të dielën, gjithsej 34 kamionë mundën të hynin në Gaza me furnizime jetëshpëtuese. Kjo është e barabartë me jo më shumë se 4 për qind të vëllimit mesatar ditor të mallrave që hynin në Gaza para kësaj krize të fundit.
Dërgesat e ndihmave që hyjnë në Gaza nuk kanë përfshirë karburantin.
Sipas OCHA-së, Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë, ose UNRWA, deri tani ofruesi më i madh humanitar në Gaza, do të shterojë rezervat e saj të karburantit në ditët në vijim.
Numri i njerëzve të zhvendosur brenda në Gaza vlerësohet në rreth 1.4 milionë, me afro 580.000 persona të strehuar në rreth 150 strehimore emergjente të përcaktuara nga UNRWA.
Humanitarët paralajmërojnë për mbipopullim, pasi numri mesatar i njerëzve për strehë ka arritur më shumë se 2.5 herë nga kapaciteti normal.
Situata në spitale mbetet e rëndë për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ilaçeve, pajisjeve dhe personelit të specializuar. Spitali Shifa në qytetin e Gazës, më i madhi në zonë, aktualisht po trajton rreth 5000 pacientë, dukshëm mbi kapacitetin e tij prej 700 pacientësh. Kjo është përveç rreth 45.000 personave të zhvendosur brenda vendit që kërkojnë strehim brenda dhe rreth spitalit, bën të ditur OCHA.
Deri të enjten, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte dokumentuar 62 sulme ndaj kujdesit shëndetësor, duke prekur 29 objekte të kujdesit shëndetësor dhe 23 ambulanca. Shtatë spitale, të gjitha në qytetin e Gazës dhe Gazën veriore u detyruan të mbyllen për shkak të dëmeve që pësuan, mungesës së energjisë dhe furnizimeve dhe urdhrave për evakuim.
Për të 14-n ditë radhazi, Gaza mbetet nën ndërprerje të plotë të energjisë elektrike, njoftoi OCHA. (Elona)