Socialistët dhe radikalët e majtë arrijnë marrëveshje për qeverinë e re spanjolle
2023-10-25 15:27:45

Foto nga VCG

Partia Socialiste dhe partia e majtë radikale, Sumar, arritën një marrëveshje për të formuar një koalicion qeverisës për Spanjën. 

Kryeministri Pedro Sanchez u takua një ditë më parë me kryetaren e Sumarit dhe ministren në detyrë të Punës, Yolanda Diaz. 

Sanchez i duhet mbështetja e 33 deputetëve të Sumarit në Dhomën e Ulët të Parlamentit, sikundër edhe nga partitë e tjera katalanase dhe baske, në mënyrë që të sigurojë një tjetër mandat si në krye të qeverisë, shkruan “RTSH”. 

“Kjo marrëveshje për katër vitet e ardhshme do ta lejojë vendin të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe me punësim cilësor, duke ndjekur politika që respektojnë drejtësinë sociale dhe klimaterike, ndërkohë që do të njohim më shumë të drejta, forcën feministe dhe liri”,- thuhet në një deklaratë të përbashkët të dy partive. 

Marrëveshja PS-Sumar parashikon edhe propozimin për të ulur orët e punës pa ndryshuar shpërblimin. 

Kryeministrit Sanchez i duhet edhe mbështetja e partive që lobojnë për pavarësinë e Katalonjës, përndryshe ai nuk do të kishte numrat për të qeverisur dhe do ta çonte vendin në zgjedhje të reja në muajin janar. 

Koalicioni aktual nuk arriti të fitojë shumicën absolute në zgjedhjet e 23 korrikut. (Elona)