Foto nga VCG
Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, bëri thirrje të martën për një armëpushim të gjithanshëm ndërmjet Palestinës dhe Izraelit.
"Duhet arritur pa vonesë një armëpushim. Kjo është thirrja e bërë prej Sekretarit të Përgjithshëm (Antonio) Guterres" dhe bashkësisë ndërkombëtare, tha Zhang në një seancë informimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi gjendjen në Lindjen e Mesme, duke përfshirë çështjen palestineze.
"Në kushtet e thirrjeve të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare, Këshilli duhet të përdorë një gjuhë të qartë për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm," u shpreh ai.
"Duhet vënë në dukje se lejimi i vazhdimit dhe i përshkallëzimit të luftimeve në Gazë për çfarëdo justifikimi nuk do të çojë në një fitore të plotë ushtarake për asnjërën nga të dy palët, por ka më shumë mundësi të çojë në një katastrofë që do të përfshijë të gjithë rajonin, duke i shkatërruar plotësisht perspektivat për një zgjidhje me dy shtete, dhe do t'i shtyjë popullin palestinez e popullin izraelit në një rreth të përjetshëm vicioz të urrejtjes dhe kundërvënies," shtoi përfaqësuesi kinez.
Zhang vuri në dukje që Gaza ka qenë pa elektricitet për 15 ditë me radhë, furnizimi me ujë e karburant është ndërprerë dhe ushqimi e barnat po mbarojnë.
"Këshilli duhet të kërkojë, sa më qartë të jetë e mundur, që fuqia pushtuese të heqë menjëherë rrethimin e plotë mbi Gazën, të rikthejë furnizimin e ujit, energjisë elektrike e karburantit dhe të ndalojë dënimin kolektiv të popullit të Gazës," tha i dërguari.
"Ne i kërkojmë Izraelit të krijojë kushte të favorshme për funksionimin normal të pikëkalimit të Rafahut, të ndalojë goditjet ajrore kundër zonave përreth tij dhe të sigurojë një kanal të papenguar të ndihmës. Kina ka dhënë ndihmë humanitare urgjente nëpërmjet Autoritetit Kombëtar Palestinez e agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë bazuar në nevojat e popullit të Gazës. "