⁠⁠⁠⁠⁠⁠⁠Pekini kundërshton raportin e ShBA-së mbi zhvillimin ushtarak të Kinës
2023-10-25 21:23:12

foto nga CFP

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes Kombëtare Wu Qian  / foto nga CFP

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes Kombëtare Wu Qian shprehu të premten pakënaqësi të fortë dhe kundërshtim të vendosur ndaj një raporti të fundit mbi zhvillimin ushtarak të Kinës, të publikuar nga Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së. 

Wu Qian u shpreh se raporti nuk merr parasysh faktet dhe është i mbushur me paragjykime, duke shtuar se pala kineze i ka paraqitur demarsh serioz palës amerikane.

Zëdhënësi vuri në dukje që raporti bën zhurmë për diçka të paqenë si "kërcënimi ushtarak kinez", spekulon mbi zhvillimin ushtarak të Kinës në fushat bërthamore, hapësinore, kibernetike etj. dhe ndërhyn në punët e brendshme të Kinës me anë të çështjes së Tajvanit. 

Kina është e vendosur në rrugën e zhvillimit paqësor, ndjek një politikë të mbrojtjes kombëtare me natyrë mbrojtëse dhe kundërshton praktikën e ngacmimit nga të mëdhenjtë dhe të fortët të atyre që janë të vegjël dhe të dobët, theksoi zëdhënësi.

Në historinë e vet mbi 240-vjeçare, vetëm për 16 vjet ShBA-ja nuk ka qenë në luftë me të tjerët, tha Wu, duke shtuar që Uashingtoni operon mbi 800 baza ushtarake në 80 vende e rajone. 

Faktet kanë provuar se ShBA-ja është "burimi themelor i kaosit" të rendit ndërkombëtar, "truri që qëndron pas skenave" të turbullirave botërore dhe "shkatërruesja më e madhe" e paqes dhe e qëndrueshmërisë rajonale, theksoi ai.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes, Kina i ka mbajtur kapacitetet bërthamore në nivelin minimal të kërkuar për sigurinë kombëtare, ndërsa Shtetet e Bashkuara vitet e fundit janë tërhequr nga instrumentet ligjore mbi kontrollin e armëve, të tilla si Traktati mbi Kufizimin e Sistemeve të Raketave Antibalistike dhe Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, ka vazhduar të ngrejë nivelin e së ashtuquajturës "triadë bërthamore"  të saj dhe synon të vendosë raketa me rreze të mesme me bazë tokësore në Evropë dhe Azi-Paqësor. 

Manipulimi prej palës amerikane dhe standardet e saj të dyfishta lidhur me çështjen bërthamore janë thjesht pretekste për zgjerimin e arsenalit bërthamor të saj dhe ruajtjen e hegjemonisë ushtarake, shtoi ai.  (Artan)