Hamas-Izrael, SHBA: Gati të përgjigjemi nëse trupat tanë bëhen objekt i sulmeve
2023-10-24 11:21:02

Foto nga VCG

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, deklaruan se Shtetet e Bashkuara presin që lufta mes Izraelit dhe Hamasit të përshkallëzohet përmes përfshirjes së Hesbollahut.

Sipas tyre, administrata amerikane është e përgatitur për t’u përgjigjur nëse personeli amerikan apo Forcat e Armatosura bëhen objekt i luftimeve të tilla, shkruan “Panorama”.

Kryediplomati amerikane tha se SHBA-ja nuk dëshiron dhe as nuk kërkon që të ketë përshkallëzim.

“Nuk duam që ndaj forcave apo personelit tonë të ketë të shtëna. Por, nëse kjo ndodh, atëherë ne jemi të gatshëm për këtë”,- tha Blinken.

Ndërsa, Austin tha: “Ajo çfarë po shihet është mundësia e një përshkallëzimi të madh të sulmeve ndaj trupave dhe njerëzve tanë në rajon”.

Ai theksoi se SHBA-ja ka të drejtë për vetëmbrojtje dhe nuk do të ngurrohet të ndërmerren veprimet e duhura.

Paralajmërimi i zyrtarëve të lartë amerikanë vjen ndërsa përgjigjja e ashpër e Ushtrisë së Izraelit ndaj sulmit vdekjeprurës të Hamasit në qytetet jugore të Izraelit po futet në javën e tretë. (Fatosi)