Foto nga VCG
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, deklaroi se fushata e ushtrisë në Gaza mund të zgjasë një, dy ose tre muaj, por në fund nuk do të ketë më Hamas, shkruan “RTSH”.
Gallant foli pas një konference operacionale në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të Operacioneve të Forcave Ajrore Izraelite.
“Për sa i përket aspekteve operacionale të manovrimit, asgjë nuk do t’i ndalojë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit. Ky duhet të jetë operacioni ynë i fundit i manovrimit në Gaza, për arsyen e thjeshtë se më pas nuk do të ketë më Hamas”, tha ai.
Ministri shprehu vlerësimin e tij për Forcat Ajrore dhe tha se pritet të ketë së shpejti një fazë tjetër, një operacion tokësor i shumëpritur. Por, nuk specifikoi se kur.
Izraeli ka njoftuar se ka goditur dhjetëra objektiva të tjerë në Rripin e Gazës, ndërsa autoritetet palestineze thonë se shtëpitë janë goditur pa paralajmërim. (Fatosi)