Një pamje e shkatërrimit të shkaktuar nga një sulm izraelit në Gazë, 23 tetor 2023. / CFP
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u shpreh të hënën se është e domosdoshme të parandalohet që konflikti palestinezo-izraelit të përshkallëzohet dhe të shkaktojë vështirësi humanitare edhe më serioze.
Konflikti aktual palestinezo-izraelit ndikon mbi të gjithë botën dhe përmban një zgjedhje madhore ndërmjet luftës dhe paqes, theksoi Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm izraelit Eli Cohen.
Kryediplomati izraelit paraqiti pozicionin dhe shqetësimet e sigurisë të vendit të tij mbi konfliktin palestinezo-izraelit.
Kina është thellësisht e shqetësuar rreth përshkallëzimit të vazhdueshëm të konfliktit e gjendjes së përkeqësuar dhe thellësisht e trishtuar nga numri i madh i viktimave civile të shkaktuara nga konflikti, tha Wang.
Ai theksoi që Kina dënon të gjitha veprimet që dëmtojnë civilët dhe kundërshton çdo shkelje të ligjit ndërkombëtar, duke shtuar se të gjitha vendet kanë të drejtën për vetëmbrojtje, por ato duhet të respektojnë ligjin humanitar ndërkombëtar dhe të mbrojnë sigurinë e civilëve.
Zgjidhja me dy shtete është konsensusi i bashkësisë ndërkombëtare dhe Kina do të mbështesë fuqimisht gjithçka që favorizon paqen e do të bëjë sa mundet për të nxitur pajtimin ndërmjet Palestinës dhe Izraelit, vuri në dukje ai.
Një pamje e një rruge të mbushur me mbeturina pas sulmeve ajrore izraelite mbi një ndërtesë në kampin e refugjatëve "Nuseirat" në Deir al-Balah të Gazës, 23 tetor 2023. / CFP
Ndërkohë, gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm palestinez Riyad Al-Maliki, Wang tha se ajo që u duhet më shumë banorëve të Gazës është siguria, ushqimi e barnat dhe jo lufta, armët e municionet.
Ndërsa Al-Maliki paraqiti pozicionin e palës palestineze, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm, transportimin e mallrave të ndihmës në Rripin e Gazës sa më shpejt të jetë e mundur dhe trajtimin e të plagosurve.
Ai shprehu vlerësimin për mbështetjen e Kinës ndaj popullit palestinez dhe shpresën se, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, çështja palestineze do të zgjidhet që nga rrënjët dhe do të realizohet krijimi i një shteti të pavarur.
Wang kërkoi një armëpushim të menjëhershëm për të ndaluar luftën dhe për të garantuar kushtet më themelore të jetesës së banorëve të Gazës.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij e bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë veprime urgjente, tha ai, duke shtuar se vendet jashtë rajonit, veçanërisht vendet e mëdha, duhet të tregojnë objektivitet e drejtësi dhe të luajnë rol konstruktiv në zbutjen e krizës.