BE-ja kërkon më shumë ndihmë për Gazën
2023-10-24 11:19:09

Foto nga VCG

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, bëri thirrje për më shumë ndihmë dhe sa më shpejt për Rripin e Gazës, të rrethuar nga ushtria izraelite, njofton “ATSH”.

”Jam në favor të armëpushimit humanitar, kërkuar nga shefi i OKB-së Antonio Guterres. Personalisht, mendoj se është e nevojshme një pauzë humanitare për të lejuar shpërndarjen e ndihmave”, deklaroi shefi për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, duke theksuar se kjo temë do të diskutohet nga ministrat e Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara mirëpritën hyrjen e kolonës së parë të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, por thanë se ajo ishte e zbehtë në krahasim me nevojën dërrmuese të popullatës civile.

Njëzet kamionë kanë hyrë në Gaza nga Egjipti, duke transportuar ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera.

Por, zyra e OKB-së për ndihmë emergjente (OCHA) njoftoi se nevojiteshin të paktën 100 kamionë në ditë.

OKB-ja po bën thirrje për një armëpushim humanitar për të ndihmuar më shumë se dy milionë banorë në Gaza.

Sipas OKB-së, pothuajse nuk ka mbetur ushqim dhe ujë i pijshëm i sigurt në Rripin e Gazës qëkur Izraeli ndërpreu furnizimet.

Izraeli vendosi një rrethim të plotë në Gaza në përgjigje të masakrave të militantëve të Hamasit nga Gaza dy javë më parë. (Fatosi)