Izraeli godet Bregun Perëndimor, paralajmëron palestinezët të largohen
2023-10-23 11:27:34

 

Vetëm disa orë pas dërgimit të ndihmave humanitare përmes kalimit të Rafahut, ushtria izraelite po shton sulmet e saj në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar palestinezët të largohen, njofton “RTSH”. 

Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, të paktën dy persona u vranë dhe shumë u plagosën në një sulm ajror izraelit gjatë natës në kampin e refugjatëve në Bregun Perëndimor të Jeninit.

Izraeli ka bërë të ditur se 14 komunitete të tjera në veri të vendit duhet të evakuohen, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, të publikuar të dielën.

Në disa zona ka pasur shkëmbime të mëdha zjarri ndërkufitar që nga lufta në Gaza që shpërtheu dy javë më parë.

Demonstrata pro-palestineze janë zhvilluar në mbarë botën për të kërkuar që Izraeli të ndalë sulmet e tij në Gaza.

Kanë kaluar dy javë qëkur Hamasi filloi sulmin e tij ndaj Izraelit, duke vrarë më shumë se 1400 persona. Zyrtarët palestinezë thonë se mbi 4000 janë vrarë në Gaza.

Që atëherë, Forcat e Armatosura izraelite kanë bërë qindra arrestime të të dyshuarve në Bregun Perëndimor. Në të njëjtën kohë, ata po godasin pa pushim Rripin e Gazës, duke përgatitur fazën tjetër të operacionit të tyre kundër enklavës palestineze që ka qenë nën kontrollin e Hamasit që nga viti 2007. (Fatosi)