Foto nga VCG
Një grup prej 57 artistësh të famshëm të Hollivudit i kanë shkruar një letër të hapur presidentit amerikan, Joe Biden, duke i kërkuar atij të bëjë thirrje për një armëpushim në Izrael dhe Palestinë, ndërkohë që lufta Izrael-Hamas vazhdon, sipas “The Hollywood Reporter”, njofton “ATSH”.
Andrew Garfield, Kristen Stewart, Oscar Isaac, Quinta Brunson, Ayo Edebiri, Cate Blanchett, Hasan Minhaj, Jeremy Strong dhe Joaquin Phoenix, mes shumë të tjerëve, nënshkruan letrën duke kërkuar t’i jepet fund vdekjeve të njerëzve të pafajshëm dhe tmerreve në të dy vendet.
“Ne kërkojmë që, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të bëni thirrje për shmangien e menjëhershme te përshkallëzimit dhe armëpushim në Gaza dhe Izrael përpara se dikush tjetër të vdesë. Më shumë se 5000 njerëz janë vrarë javën e fundit, një shifër katastrofike. Ne besojmë se jeta është e shenjtë, pa marrë parasysh besimin apo përkatësinë etnike dhe dënojmë vrasjen e civilëve palestinezë dhe izraelitë”, shkruajnë artistët.
Letra e hapur drejtuar presidentit Biden vjen pas një letre tjetër që kërkonte një armëpushim në Izrael dhe Gaza nga Artistët për Palestinën në Britaninë e Madhe, e nënshkruar nga të famshëm si Tilda Swinton, Miriam Margolyes, Charles Dance, Steve Coogan, Peter Mullan, Maxine Peake dhe Khalid Abdalla.
Në ditët menjëherë pas aktit fillestar të terrorit më 7 tetor, 700 të famshëm dhe drejtues të Hollivudit, duke përfshirë Gal Gadot, Jerry Seinfeld, Jamie Lee Curtis dhe Chris Pine nënshkruan një letër të hapur në mbështetje të Izraelit dhe dënuan sulmet e Hamasit.
Në përgjigje të këtyre sulmeve, qeveria izraelite shpalli një rrethim të plotë në Gaza.
Konflikti Izrael-Gaza ka vrarë deri më tani më shumë se 1300 izraelitë dhe gati 3700 palestinezë. (Fatosi)