Konflikti Izrael-Palestinë, OKB dërgon ujë për 22 mijë njerëz në Gaza
2023-10-23 13:30:37

Foto nga VCG

Agjencia e OKB-së për fëmijë, UNICEF, ka bërë të ditur se do të dërgojë furnizime të mjaftueshme me ujë për 22 mijë njerëz për një ditë përmes kalimit Rafah në Gaza, njofton “RTSH”.

“Mbi 44.000 shishe me ujë të pijshëm të furnizuara nga UNICEF, mjaftueshëm për 22.000 njerëz për 1 ditë, kaluan përmes Rafahut, si pjesë e një kolone prej 20 kamionësh me Gjysmëhënën e Kuqe Egjiptiane, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Programin Botëror të Ushqimit”,- thuhet në deklaratën e UNICEF-it.

Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, deklaroi se shpërndarja e ujit është një çështje jetë a vdekje për rreth 1 milion fëmijë në Gaza që përballen me krizën e madhe humanitare.

Sipas UNICEF-it, konflikti gati dyjavor ka shkaktuar dëme të rënda në sistemet e ujit dhe kanalizimeve të Gazës me kapacitetin e prodhimit të ujit aktualisht në 5% të niveleve normale, bën të ditur.

Agjencia lëshoi një thirrje urgjente që të hapen të gjitha pikat e hyrjes në Gaza për të lejuar shpërndarjen më të gjerë të ndihmave humanitare së bashku me lëvizjen e punonjësve të ndihmës dhe rasteve urgjente mjekësore në Gaza që kërkojnë kujdes mjekësor kritik.  (Fatosi)