Franca dhe Gjermania i bëjnë thirrje Izraelit mos të sulmojë civilët në Gaza
2023-10-23 13:27:05

Foto nga VCG

Ministret e Jashtme të Francës dhe Gjermanisë i kanë bërë thirrje Izraelit që mos të sulmojë civilët në luftën me Hamasin.

Sipas tyre, megjithëse Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes ka edhe një përgjegjësi për të mbrojtur popullsinë civile të Gazës.

Në një fjalim drejtuar liderëve në Samitin e Paqes në Kajro, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, theksoi se Hamasi mban përgjegjësinë përfundimtare për vuajtjet e këtyre javëve të fundit, transmeton “CNN”, njofton “RTSH”.

“Ishte Hamasi ai që solli terror të tmerrshëm mbi Izraelin më 7 tetor duke kryer krime mizore. Si çdo vend tjetër në botë, Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe të mbrojë popullin e tij kundër këtij terrori brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar”,- tha Baerbock, duke theksuar se lufta kundër Hamasit duhet të kryhet me konsideratën më të madhe të mundshme për situatën humanitare për njerëzit e pafajshëm në Gaza.

Ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, deklaroi se asgjë nuk e justifikon terrorizmin. “Përballë terrorizmit, Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Izraeli, në përgjigjen e tij legjitime ndaj sulmit terrorist që ishte viktimë, duhet të mbrojë popullsinë civile në përputhje me ligjin humanitar”, theksoi kryediplomatja franceze.

“Franca dënon veprimet e Hamasit, por vazhdon të mbështesë të drejtat e popullit palestinez siç kemi bërë gjithmonë”,- tha Colonna, duke shtuar se Franca së shpejti do të dërgojë 10 milionë euro shtesë (10.6 milionë dollarë) ndihmë për palestinezët. (Fatosi)