Kina nxit çtensionimin e situatës në Gazë dhe premton shtimin e ndihmës humanitare
2023-10-23 20:04:36

foto nga

 Njerëzit në palën egjiptiane të kalesës kufitare vërtetuan kalimin e një kolone kamionesh me materiale humanitare për në Rripin e Gazës, më 22 tetor 2023 / foto nga CFP

Situata në Gazë është shumë serioze dhe efektet e përhapjes në rajon e në mbarë botën po shtohen, ndërsa konflikti përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin dhe Sirinë po zgjerohet, "duke e bërë perspektivën shqetësuese", theksoi të dielën në Egjipt një i dërguar kinez. 

Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kontrollojë bashkërisht gjendjen dhe të parandalojë daljen e saj jashtë kontrollit, i tha shtypit i dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për çështjen e Lindjes së Mesme Zhai Jun pas pjesëmarrjes në samitin e Kajros për Paqen. Zhai, i cili ndodhet në Lindjen e Mesme, njoftoi se do të vizitojë vendet e rajonit, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Jordaninë, për të forcuar koordinimin për nxitjen e armëpushimit dhe zbutjen e tensioneve ndërmjet Palestinës e Izraelit.

Kina ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare urgjente për Palestinën nëpërmjet Kombeve të Bashkuara dhe kanaleve dypalëshe për të ndihmuar lehtësimin e krizës humanitare në Gazë, tha ai. 

Pekini vlerëson përpjekjet e Egjiptit për të përmirësuar gjendjen humanitare në Gazë dhe mbështet hapjen nga Egjipti të korridorit humanitar në Gazë, u shpreh i dërguari. 

Në fazën tjetër, Kina do të vazhdojë të mbajë komunikim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, duke përfshirë vendet arabe, dhe të punojë bashkërisht për të parandaluar zgjerimin e konfliktit, për të shmangur një katastrofë humanitare edhe më serioze dhe për rinisjen sa më parë të procesit të paqes në Lindjen e Mesme, shtoi ai. (Artan)