Takimi i paqes në Kajro përfundon pa ndonjë rezultat mbi Lindjen e Mesme
2023-10-23 11:29:34

Foto nga VCG

Udhëheqësit arabë që morën pjesë në një takim të nivelit të lartë në Kajro dënuan bombardimet izraelite në Gaza, ndërsa përfaqësuesit e vendeve evropiane thanë se civilët duhet të mbrohen, shkruan “RTSH”.

Në takim nuk kishte zyrtarë të lartë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara dhe nuk pati ndonjë marrëveshje për frenimin e dhunës.

Egjipti, që e organizoi takimin, bëri të ditur se kishte shpresuar që pjesëmarrësit të bënin thirrje për paqe dhe që të rifillonin përpjekjet për një shtet palestinez.

Por takimi përfundoi pa një deklaratë të përbashkët nga udhëheqësit dhe ministrat e Jashtëm.

Diplomatët që morën pjesë në bisedime nuk kishin qenë optimistë për ndonjë përparim, ndërsa Izraeli bëhet gati për një ofensivë nga toka në Gazë me synimin e asgjësimit të grupit militant palestinez Hamas që sulmoi qytetet e tij më 7 tetor, duke shkaktoi vdekjen e 1400 personave.

Ministria palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se sulmet ajrore të Izraelit kishin shkaktuar vdekjen e të paktën 4385 personave që nga nisja e sulmit prej Hamasit.

Ndërsa shtetet arabe dhe myslimane kërkuan që t’i jepet menjëherë fund ofensivës së Izraelit, vendet perëndimore shprehën përgjithësisht objektiva më modeste, siç është ndihma humanitare për civilët. (Fatosi)