⁠⁠⁠⁠⁠⁠⁠Institucionet financiare globale i rritin parashikimet për PBB-në e Kinës sivjet
2023-10-23 20:47:00

Një pamje e rrugës së famshme tregtare "Nanjing" në Shangai të Kinës, 14 tetor 2023 / CFP

Institucionet financiare globale, duke përfshirë "JP Morgan", "Citigroup" dhe UBS, i ngritën  javën e kaluar parashikimet e tyre të rritjes së ekonomisë kineze për vitin 2023, pas rritjes më të shpejtë të saj sesa pritej në tremujorin e tretë të sivjetshëm. 

PBB-ja e Kinës u shtua 4.9 për qind në korrik-shtator në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me përshpejtimin  e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit, treguan të dhënat zyrtare.

Pas publikimit të të dhënave, "Citigroup" e ngriti parashikimin e rritjes së Kinës sivjet për herë të dytë në një muaj, në 5.3 për qind. "JP Morgan" parashikon se ekonomia kineze do të rritet 5.2 për qind këtë vit, nga vlerësimi më i mëparshëm prej 5 për qind, ndërsa "Morgan Stanley" e ngriti parashikimin e vet në 5.1 për qind, nga 4.8 deri në 4.9 për qind më parë. Gjiganti bankar zviceran UBS e ka ngritur vlerësimin e vet në 5.2 për qind, 0.4 pikë përqindjeje më lart se më parë. Grupi i shërbimeve financiare me bazë në Japoni "Nomura" e ngriti parashikimin e rritjes së PBB-së së Kinës në 5.1 për qind pas shenjave pozitive, dhe e rriti shifrën për tremujorin e katërt në 4.7 për qind. 

Kina ka shpallur një sërë masash me objektiv të saktë për të zgjeruar kërkesën dhe për të rritur besimin e tregut në tremujorin e tretë, duke përfshirë uljen e normës së rezervës së detyruar dhe lehtësimin e kufizimeve të tregut të pronave. (Artan)