Foto nga VCG
Nobelistët kërkojnë siguri për të gjithë fëmijët viktima të luftës, ata të Izraelit dhe ata të Gazës. Në një letër të hapur të nënshkruar nga 29 fitues të çmimit “Nobel”, ftohen të gjithë ata që janë për paqe të qëndrueshme për të gjithë fëmijët që jetojnë në Izrael, Palestinë dhe gjetkë që të ndezin qirinj, shkruan “ATSH”.
Nga 29 nënshkruesit e letrës, 11 janë fitues të çmimit “Nobel” për Paqe, si aktivistja ukrainase Oleksandra Matviichuk, fituese në vitin 2022, guatemalezja Rigoberta Menchù Tum, si dhe shumë fitues të çmimit “Nobel” për Fizikë, Mjekësi dhe Kimi.
“Ne jemi thellësisht të tronditur nga fëmijët e vrarë gjatë masakrës së kryer nga Hamasi dhe nga fëmijët e vrarë deri më tani në bombardimet e përhapura pasuese të Gazës nga Izraeli” shkruhet në letër.
“Ekziston një rrezik serioz që në javët e ardhshme mund të ketë një humbje edhe më të madhe të jetës dhe që edhe më shumë fëmijë të vdesin në vende të tjera. Fëmijët palestinezë janë fëmijët tanë. Fëmijët izraelitë janë fëmijët tanë. I bëjmë thirrje të gjithëve të kujtojnë se fëmijët nuk kanë shkaktuar asnjë luftë dhe nuk janë përgjegjës për situatën. Të gjithë fëmijët e rrëmbyer duhet të lirohen urgjentisht dhe të gjithë fëmijëve duhet t’u ofrohet një kalim i sigurt nga konflikti. Fëmijët nuk mund të detyrohen të vuajnë mungesën e ujit, ushqimit, kujdesit dhe strehimit. Fëmijët dhe njerëzit në nevojë duhet të marrin ndihma humanitare menjëherë”, shkruajnë nobelistët. (Fatosi)