Kina kërkon armëpushim dhe akses për ndihma humanitare në Rripin e Gazës
2023-10-22 15:59:30

Foto nga MPJ

Kina kërkon ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës që përkeqësojnë më tej situatën dhe hapjen e kanaleve të ndihmës humanitare, tha një i dërguar i posaçëm kinez të shtunën gjatë një samiti të mbajtur në Kajro për konfliktin palestinezo-izraelit.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë objektiv, i paanshëm dhe praktik në promovimin e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të përhershme për çështjen palestineze sa më shpejt që të jetë e mundur, tha në samit i dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për çështjen e Lindjes së Mesme, Zhai Jun.

Duke vënë në dukje se Kina është thellësisht e pikëlluar nga viktimat e rënda civile dhe situata e rëndë humanitare të shkaktuara nga përshkallëzimi i konfliktit, Zhai tha se Kina kundërshton dhe dënon të gjitha veprimet që dëmtojnë civilët dhe çdo shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Ai theksoi se përshkallëzimi i vazhdueshëm i konfliktit palestinezo-izraelit dëshmon edhe një herë se çështja e Palestinës nuk mund të injorohet apo të harrohet. Rruga themelore për të dalë nga konflikti i përsëritur palestinezo-izraelit qëndron në zbatimin e "zgjidhjes me dy shtete" dhe krijimin e një shteti të pavarur të Palestinës, në mënyrë që të realizohet bashkëjetesa paqësore mes Palestinës dhe Izraelit, vuri në dukje ai. (Çang Çuo)