Shefi i OKB-së: Asnjë zgjidhje nuk është e mundur pa krijimin e shtetit palestinez
2023-10-21 14:58:54

Foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, deklaroi se asnjë zgjidhje nuk është e mundur pa krijimin e një shteti të pavarur palestinez krah për krah me Izraelin, nën garanci reciproke të sigurisë, në përputhje me vendimet ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura mes dy palëve, shkruan “ATSH”.

Gjatë një konferencë shtypi në Kajro me ministrin e Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry.Guterres tha se ndodhet në Lindjen e Mesme për një mision humanitar në këtë krizë.

Guterres tha se kriza u shkaktua nga sulmet e kryera nga Hamasi më 7 tetor, i cili, siç tha ai, plagosi dhe vrau shumë izraelitë dhe rrëmbeu civilë.

Duke thënë se kjo situatë çoi në rrethimin e plotë të Gazës nga Izraeli dhe bombardime brutale kundër civilëve, Guterres theksoi se shumica e atyre që kanë humbur jetën ishin gra dhe fëmijë.

“Do të doja të ripohoja se ligji ndërkombëtar humanitar duhet të respektohet. Mbrojtja e civilëve është gjithashtu një detyrim. Çdo sulm ndaj një spitali, shkolle ose objekti të OKB-së është i ndaluar dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Duke bërë thirrje për veprim urgjent humanitar, Guterres kërkoi nga Hamasi të lirojë menjëherë dhe pa kushte pengjet dhe nga Izraeli të lejojë menjëherë ndihmën humanitare për të përmbushur nevojat më elementare të popullit të Gazës.

Shefi i OKB-së theksoi se asnjë veprim nuk mund të justifikojë terrorizmin dhe theksoi se sulmet e Hamasit ndaj Izraelit nuk mund të justifikojnë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez. (Irma)