Intervistë e posaçme me presidentin rus Vladimir Putin
2023-10-21 14:05:38

Presidenti rus Vladimir Putin dha në Kremlin një intervistë të posaçme për CMG-në. 

Partneriteti i gjithanshëm strategjik i koordinimit ndërmjet Kinës dhe Rusisë në epokën e re ka arritur një kulm historik dhe vazhdon të ecë përpara. Putini tha se kjo është rezultat i menaxhimit të kujdesshëm dhe i zhvillimit të qëndrueshëm gjatë 20 vjetëve të fundit.

Lidhur me marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kinës dhe Rusisë, kreu i Kremlinit vuri në dukje që këto marrëdhënie po diversifikohen nga viti në vit. Në fakt, të dyja vendet kanë një bashkëpunim të gjerë në sektorin e energjetikës, i cili është shumë i larmishëm dhe nuk kufizohet vetëm në furnizimin e naftës dhe gazit natyror. Ai shprehu besim se vëllimi i tregtisë Rusi-Kinë do t'i kalojë shpejt 200 miliardë dollarët amerikanë.

Sa i përket nismës "Një brez, një rrugë", Putini vlerësoi se kjo nismë synon të bashkojë pikat e forta të të gjitha vendeve dhe të arrijë zhvillim të përbashkët. Ai theksoi se përparësia kryesore e konceptit të bashkëpunimit të propozuar nga Kina është që, në kuadër të bashkëpunimit, askush nuk i imponon asgjë të tjerëve. E gjithë puna është për të gjetur metodat e zgjidhjeve të pranueshme, për të zbatuar projekte dhe për të arritur qëllimin e përbashkët.

Duke folur për zgjerimin e anëtarësisë së BRICS-it, Putini tha se vendet që i bashkohen këtij mekanizmi mund të rrisin bashkëpunimin shumëpalësh brenda kornizës së BRICS-it, në mënyrë që të punojnë së bashku për të përshpejtuar realizimin e qëllimit të ndërtimit të një bote shumëpolare. Tani, një botë shumëpolare po merr formë.

Presidenti Putin dhe presidenti Xi Jinping janë takuar rreth 40 herë. Putini e vlerësoi presidentin Xi si një udhëheqës të vërtetë botëror, duke shprehur besimin se qëndrueshmëria e politikave është një epërsi unike e zhvillimit të Kinës.