Izraeli po merr masa për të siguruar furnizimet e përditshme
2023-10-21 11:02:44

Foto nga VCG

Shpërthimi i konfliktit me Hamasin më 7 tetor ka shkaktuar blerje paniku në Izrael, pasi ushtria kishte këshilluar qytetarët të grumbullonin mallra thelbësore që mund t'i ndihmonin ata të mbijetojnë emergjencat mes shqetësimeve të përhapura se gjendja e luftës mund të zgjasë për javë ose muaj, shkruan “Xinhua”.

Në ditët e para pas shpërthimit të konfliktit, gjërat e nevojshme bazë si buka, uji mineral, vezët, frutat dhe perimet u zhdukën me shpejtësi nga raftet e dyqaneve. Megjithatë, qeveria izraelite, prodhuesit dhe supermarketet lëvizën me shpejtësi për të adresuar shqetësimet e publikut duke theksuar se nuk kishte nevojë për panik, pasi magazinat kishin furnizime të mjaftueshme.

Mungesat ishin kryesisht për shkak të sfidave logjistike dhe mungesës së numrit të madh të punëtorëve. Shoqata e Prodhuesve të Izraelit (MAI) vlerësoi se rreth 1.3 milionë punëtorë, ose gati 30 për qind e fuqisë punëtore të vendit, nuk morën pjesë në punë ndërmjet 8 dhe 12 tetorit. Punëtorët që mungonin përfshinin ushtarë rezervë që u thirrën në detyrë, prindër që kujdeseshin për fëmijët e tyre për shkak të mbylljes së shkollave dhe kopshteve, dhe punonjësit e paaftë për të arritur në vendet e tyre të punës për shkak të mbylljes së rrugëve. Për të siguruar prodhimin dhe furnizimin e vazhdueshëm të mallrave dhe shërbimeve thelbësore për banorët, MAI, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Industrisë, nisi një fushatë për punësimin e punonjësve të rinj. Deri më tani, ata kanë punësuar më shumë se 6000 punëtorë dhe kanë planifikuar të rekrutojnë shumë të tjerë.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, njoftoi se do të zgjasë një urdhër për heqjen e taksës doganore prej 40 për qind për qumështin e importuar për tre muaj të tjerë, në përpjekje për të siguruar furnizim të qëndrueshëm.

Për sa i përket tregtisë globale, Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë pohoi se importet dhe eksportet po vazhdojnë pa ndërprerje të konsiderueshme pavarësisht luftimeve dhe të gjitha kalimet detare dhe ajrore mbetën të hapura. (Irma)