Vendet e BE-së përforcojnë kontrollet kufitare mes shqetësimeve të sigurisë
2023-10-21 13:34:08

Foto nga VCG

Mes shqetësimeve në lidhje me dhunën ekstremiste dhe emigrimin ilegal, disa vende të Bashkimit Evropian, pjesë e zonës Shengen që lejon lëvizjen e lirë, kanë shtuar kontrollet kufitare, shkruan “Xinhua”.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç njoftoi rivendosjen e përkohshme të kontrolleve kufitare me Slloveninë, pasi qeveria sllovene vendosi të zbatojë kontrollet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë deri më 30 tetor.

Të mërkurën, Italia pezulloi përkohësisht rregullat e Shengenit të BE-së për udhëtime të hapura, duke riaktivizuar kontrollet e fjetura kufitare me Slloveninë. Në kufirin midis Italisë dhe Sllovenisë, kontrollet do të fillojnë më 21 tetor dhe do të zgjasin për të paktën dhjetë ditë.

Gjermania të hënën njoftoi gjithashtu Komisionin Evropian për kontrollet e përkohshme në kufijtë e saj me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën, në përpjekje për të luftuar emigracionin e paligjshëm.

Një sërë aeroportesh evropiane kanë marrë kërcënime me bomba në ditët e fundit. Sipas policisë franceze, të paktën shtatë aeroporte morën kërcënime dhe u evakuuan të enjten, duke përfshirë ato në Lille, Lyon, Bordeaux, Nantes dhe Toulouse. Një kërcënim për bombë shkaktoi gjithashtu evakuimin e aeroportit Ostend-Bruges në veriperëndim të Belgjikës të mërkurën.

Lufta e vazhdueshme në Gaza ka tensionuar nervat e shumë vendeve evropiane, veçanërisht Francës dhe Gjermanisë, të cilat janë shtëpia e komuniteteve më të mëdha hebreje dhe myslimane të Bashkimit Evropian.

Ndërsa konflikti Palestinë-Izrael hyri në javën e dytë, është e pasigurt se sa kohë vendet e Shengenit do të mbajnë kontrolle të tilla kufitare ose nëse më shumë vende do ta ndjekin shembullin.  (Irma)