Avokatja amerikane pranon fajësinë për ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve në Georgia
2023-10-21 12:22:08

Foto nga VCG

Avokatja amerikane Sidney Powell pranoi fajësinë në këmbim të reduktimit të akuzave mbi përpjekjet për të përmbysur humbjen e republikanit Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020 në shtetin e Georgias, duke u bërë e pandehura e dytë në këtë çështje që arrin një marrëveshje me prokurorët, shkruan “RTSH”.

Powell, e cila u akuzua së bashku me ish-presidentin Tramp dhe 17 të tjerë, për shkelje të ligjit të shtetit kundër shantazhit, pranoi fajësinë vetëm një ditë përpara se të fillonte përzgjedhja e jurisë për gjyqin ndaj saj.

Një gjyqtar ra dakord që ajo të kryejë dënimin me arrest shtëpie për rreth gjashtë vjet, me mbikëqyrje nga autoritetet, të paguajë 2700 dollarë dëmshpërblim dhe të dëshmojë me vërtetësi ndaj të pandehurve të tjerë.

Ajo u akuzua fillimisht për shantazh dhe gjashtë vepra të tjera për pjesëmarrje në një skemë të gjerë për të mbajtur presidentin republikan në pushtet pasi ai humbi zgjedhjet e vitit 2020 ndaj demokratit Biden.

Prokurorët thonë se ajo gjithashtu mori pjesë në një ndërhyrje të paautorizuar në pajisjet zgjedhore në një qendër votimi në Georgia.

Arritja e një marrëveshjeje për pranim të fajësisë është një veprim i jashtëzakonshëm për një avokate, e cila, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, përhapi teoritë e pabaza të konspiracionit për vjedhje të zgjedhjeve pavarësisht mungesës së provave.

Nëse prokurorët e detyrojnë atë të dëshmojë, ajo mund të japë informacion mbi një konferencë shtypi në të cilën mori pjesë në emër të Trump dhe fushatës së tij menjëherë pas zgjedhjeve dhe në një takim në Shtëpinë e Bardhë në mes të dhjetorit të vititi 2020, ku u diskutua mbi strategjitë për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve. (Irma)