Foto ATSH
Komisioni Evropian prezantoi një sërë masash për të reduktuar emigrimin e parregullt përgjatë rrugës së Mesdheut Lindor.
“Ky plan përshkruan masat për parandalimin e emigrimit të parregullt, luftën kundër kontrabandës dhe sigurimin e rrugëve ligjore”,- deklaroi eurokomisionerja për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, citon “ATSH”.
Ajo theksoi se veprimet sipas planit do të përmirësojnë menaxhimin e kufirit, do të mbështesin bashkëpunimin për kthimin dhe ripranimin dhe do të përmirësojnë kapacitetet e pritjes së emigrantëve.
Rruga e emigrimit të Mesdheut Lindor i referohet emigrimit të parregullt drejt vendeve të BE-së, Greqisë, Qipros dhe Bullgarisë. Sipas planit, do të përmirësohet bashkëpunimi me vendet aziatike dhe afrikane, si dhe me Turqinë.
“Plani i veprimit përmban 19 masa të propozuara të përshtatura për situatën në Greqi dhe Qipro”, bëri të ditur KE-ja.
Në vitin 2022, kalimet e parregullta kufitare përgjatë rrugës së emigrimit të Mesdheut Lindor u dyfishuan në krahasim me një vit më parë. Sipas shifrave të KE-së, mbërritjet në Greqi dhe Qipro u rritën përkatësisht me 89% dhe 123% krahasuar me vitin 2021.
Ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së pritet ta diskutojnë propozimin në Luksemburg, përpara se liderët e BE-së të trajtojnë sfidat e emigracionit në bllok në një samit në Bruksel, javën e ardhshme. (Elona)