Foto nga CFP
Autoritetet vendore të Shangait kanë publikuar planin e fundit të veprimit për të nxitur ndërtimin e infrastrukturës midis viteve 2023 dhe 2026, me prioritet kryesor fuqinë kompjuterike dhe rrjetin e komunikimit me shpejtësi të lartë. Në një konferencë për shtyp të mbajtur të enjten, qeveria bashkiake tha se qyteti tani ka 88,000 stacione bazë 5G dhe po punon për të ndërtuar një rrjet me fibra optike me një kapacitet komunikimi prej më shumë se 10 gigabit për sekondë (Gbps) dhe zhvillimin e teknologjive 5G-Advanced nga fundi i vitit 2026, bën të ditur “Xinhua”.
Shpresohet që raundi i ri i politikave të reja të infrastrukturës do të ndihmojë në zgjerimin e investimeve efektive dhe promovimin e transformimit digjital të Shangait.
Sipas planit të veprimit, puna e re e ndërtimit të infrastrukturës së Shangait do të kryhet në pesë fusha kryesore: rrjeti i komunikimit, fuqia kompjuterike, të dhënat e reja, objektet e inovacionit dhe terminalet.
Duke folur në konferencën për shtyp, Gu Jun, kreu i komisionit komunal të zhvillimit dhe reformës, tha se plani i ri i veprimit përqendrohet në tendencat e zhvillimit të teknologjive, të tilla si fuqia kompjuterike inteligjente, modelet e mëdha, elementët e të dhënave.
Aktualisht, 37.2 për qind e stacioneve bazë të telefonave celularë të Shangait janë 5G. (Elona)