Foto nga VCG
I dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet e Lindjes së Mesme Zhai Jun ritheksoi gatishmërinë e Kinës për të luajtur një rol konstruktiv në zbutjen e tensioneve ndërmjet Palestinës e Izraelit dhe në nxitjen e bisedimeve të paqes.
Zhai i bëri këto komente gjatë udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme. Të enjten ai u takua me të dërguarin e posaçëm të presidentit rus për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, Mikhail Bogdanov, dhe ministrin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Katarit, Mohammed bin Abdulaziz bin Saleh Al Khulaifi, në Dohë të Katarit.
Foto nga VCG
Zhai theksoi se Kina është e trishtuar nga kriza humanitare, dënon të gjitha veprimet që dëmtojnë civilët dhe kundërshton veprimet që shkelin ligjin ndërkombëtar.
Ai theksoi se arsyeja thelbësore për gjendjen e tanishme është dështimi për të mbrojtur të drejtat e ligjshme kombëtare të popullit palestinez.
Duke vënë në dukje që Kina dhe Rusia ndajnë të njëjtin qëndrim në çështjen palestineze, Zhai e informoi Bogdanovin, i cili është gjithashtu zëvendësministër i Jashtëm i Rusisë, se Kina është e gatshme të mbajë komunikimin dhe koordinimin me Rusinë për të çtensionuar situatën sa më shpejt të jetë e mundur, dhe të luajë një rol pozitiv në rinisjen e bisedimeve të paqes izraelito-palestineze.
Foto nga VCG
I dërguari kinez bëri thirrje gjithashtu për përpjekje për të zbatuar projektin e "zgjidhjes me dy shtete" dhe për të nxitur një zgjidhje të shpejtë, të gjithanshme, të drejtë e të vazhdueshme të çështjes palestineze.
Bogdanovi deklaroi se bashkësia ndërkombëtare duhet të bashkëpunojë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës dhe përhapjen e saj në rajon.
Rusia është e gatshme të punojë me Kinën për të nxitur arritjen e një armëpushimi sa më parë dhe për të krijuar kushte për kthimin e çështjes palestineze në rrugën e duhur.