Foto Gmanetwork
Irani konfirmoi fundin e pakushtëzuar të kufizimeve të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në aktivitetet e tij të lidhura me raketat, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të reja mbi programet e raketave dhe dronëve të këtij vendi, shkruan “Xinhua”.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj të internetit, Ministria e Jashtme iraniane bën të ditur: “Pjesa e fundit e kufizimeve kundër Iranit, duke përfshirë ngrirjen e aseteve dhe kufizimet financiare ndaj individëve dhe subjekteve të caktuara iraniane, të vendosura prej vitesh nga KS-ja i OKB-së në fushat që lidhen me aktivitetet raketore dhe shkëmbimi i shërbimeve dhe teknologjive përkatëse, u ndërpre pa kushte”.
Deklarata paralajmëroi se çdo veprim që synon të vendosë sanksione ose kufizime në ndërveprimet dhe bashkëpunimin e mbrojtjes së Iranit është tani në kundërshtim me përfundimin e kufizimeve sipas Rezolutës 2231 të KS-së së OKB-së, duke theksuar të drejtën e Iranit për të zbatuar masat e nevojshme për të mbrojtur interesat kombëtare.
Po ashtu, SHBA-ja ndërmori një sërë masash për të nënkuptuar se programi raketor i Iranit do të mbetej i sanksionuar edhe pas skadimit të kufizimeve të KS-së së OKB-së.
SHBA-ja njoftoi sanksione të reja ndaj një grupi njerëzish dhe firmash për lidhje të dyshuara me programet e raketave balistike dhe dronëve të Iranit.
Për më tepër, në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare, Këshilli i Evropës bëri të ditur se vendosi të marrë hapat e nevojshëm për të ruajtur masat kufizuese nën regjimin e BE-së për mospërhapjen e Iranit.
“Këshilli vlerësoi se ka arsye të vlefshme për t'u përmbajtur nga heqja e këtyre kufizimeve në Ditën e Tranzicionit, siç ishte parashikuar fillimisht në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA)”,- thuhet në deklaratë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, denoncoi vendimin e Këshillit të Evropës si të njëanshëm, të paligjshëm dhe politikisht të pajustifikueshëm.
Irani nënshkroi një marrëveshje bërthamore, të njohur zyrtarisht si JCPOA, me fuqitë botërore në korrik 2015, duke rënë dakord të vendosë disa kufizime në programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Megjithatë, SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja në maj 2018 dhe rivendosi sanksionet e saj të njëanshme ndaj Iranit, duke e shtyrë këtë të fundit të heqë disa nga angazhimet e saj bërthamore sipas marrëveshjes.
Bisedimet për ringjalljen e JCPOA filluan në prill 2021 në Vjenë, Austri. Pavarësisht disa raundeve bisedimesh, asnjë përparim i rëndësishëm nuk është arritur që nga përfundimi i raundit të fundit në gusht 2022. (Elona)