Italia do të vendosë kontrolle kufitare me Slloveninë mes frikës për dhunën ekstremiste
2023-10-20 14:51:48

Foto Atsh

Italia pezulloi përkohësisht të mërkurën rregullat e Shengenit të Bashkimit Evropian për udhëtime të hapura, duke riaktivizuar kontrollet e fjetura kufitare me Slloveninë mes tensioneve të rritura në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme, shkruan “Xinhua”.

Që nga e mërkura vonë, disa shtete të tjera të Bashkimit Evropian (BE) gjithashtu njoftuan lëvizje të ngjashme, për shkak të shqetësimeve mbi dhunën ekstremiste dhe emigrimin.

Në kufirin mes Italisë dhe Sllovenisë, kontrollet do të fillojnë më 21 tetor dhe do të zgjasin të paktën dhjetë ditë.

Qeveria italiane njoftoi se qëllimi është një kthim i shpejtë në kalimet kufitare pa kontroll, por masa megjithatë mund të zgjatet.

Masa ka për qëllim zyrtarisht monitorimin e lëvizjeve ndërkufitare të njerëzve dhe mallrave dhe vjen gjatë një periudhe paqëndrueshmërie që lidhet me tensionin aktual midis Izraelit dhe Palestinës.

“Pezullimi i Traktatit të Shengenit për lëvizjen e lirë në Evropë ishte i nevojshëm për shkak të përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme, rritjes së flukseve emigratore përgjatë rrugës ballkanike dhe mbi të gjitha për arsye të sigurisë kombëtare”,- deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Ministri i Brendshëm slloven, Bostjan Poklukar, është informuar për vendimin. Ai i nënvizoi Italisë rëndësinë që masa të jetë e përkohshme dhe proporcionale dhe se kontrollet kufitare duhet të mbeten miqësore ndaj qytetarëve, në mënyrë që mos të prishen lidhjet kulturore të miqësisë dhe familjes së atyre që jetojnë përgjatë kufirit.

Të martën, Italia prangosi dy persona të dyshuar për rekrutim për Shtetin Islamik (IS). Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, minimizoi kërcënimin e menjëhershëm të një sulmi terrorist në Itali, por tha se ishte e rëndësishme që vendi të qëndronte vigjilent.

Të hënën, një person i armatosur me origjinë tuniziane qëlloi dhe vrau dy tifozë futbolli në Bruksel, duke shkaktuar alarme të shtuara të sigurisë në të gjithë BE-në. (Elona)