Elon Musk po konsideron tërheqjen e “X”-it nga Bashkimi Evropian
2023-10-20 16:54:57

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Elon Musk po konsideron tërheqjen e platformës së tij të medias sociale “X” nga Bashkimi Evropian, pasi është i pakënaqur me Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së (DSA), shkruan “Business Insider” duke cituar një person të njohur me kompaninë, citon “ATSH”.

DSA-ja detyron platformat e mëdha sociale të ndërmarrin veprime të qëndrueshme dhe të shpejta kundër gjuhës së urrejtjes, ndër të tjera. Shkeljet e saj sjellin dënime të rënda.

Sipas “Business Insider”, Musk ka diskutuar që “X” mos të jetë më i disponueshëm në BE ose të bllokojë aksesin për përdoruesit në rajon.

“X” ka marrë një sërë pyetjesh nga Komisioni Evropian, i cili dëshiron të dijë më shumë se si platforma e medias sociale i përmbush detyrimet e saj, pas informacioneve se thirrjet për dhunë dhe dezinformim po përhapeshin në X pas nisjes së konfliktit Hamas-Izrael.

Komisioneri i BE-së Thierry Breton iu referua ndër të tjera raporteve të imazheve të manipuluara dhe regjistrimeve të videolojërave të kaluara si regjistrime reale. (Elona)