Foto Rtsh
Rreth 20 kamionë që transportojnë ushqime, ujë dhe furnizime mjekësore do të lejohen të hyjnë në Gaza në ditët në vijim.
Izraeli ndërpreu energjinë elektrike, ujin dhe ndaloi dërgesat e ushqimeve dhe ilaçeve në Gaza pas një sulmi nga militantët e Hamasit më 7 tetor. Që atëherë, banorët e Gazës po mbarojnë me shpejtësi furnizimet bazë.
Por organizatat kryesore humanitare paralajmërojnë se ndihma do të jetë vetëm një pikë në oqean, shkruan “RTSH”.
“OKB-ja ka raportuar se nevojiten një minimum prej 100 kamionësh me ndihmë humanitare për të mbështetur miliona civilë që jetojnë në Gaza”,- tha për “BBC” Shaina Low, nga Këshilli Norvegjez për Refugjatët.
Philippe Lazzarini, komisioneri i përgjithshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë (UNRWA), tha se para luftës rreth 500 kamionë në ditë do të hynin në Gaza me ndihma, karburant dhe mallra të tjera.
Marrëveshja për të ofruar një sasi të kufizuar ndihme përmes kalimit të Egjiptit Rafah u arrit të mërkurën nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi se Izraeli nuk do të pengojë furnizimet që shkojnë nga Egjipti për popullatën civile në Gazën jugore. (Elona)