Foto nga CFP
Edhe pse gjatë vizitës së tij në Tel Aviv, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u shpreh gjerësisht për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe gjithashtu pranoi me kujdes versionin e Izraelit lidhur me shpërthimin të martën në mbrëmje në një spital të qytetit të Gazës, ai kërkoi gjithashtu që Izraeli të jetë mjaft i përmbajtur, shkruan “RTSH”.
Presidenti Biden foli për tërbimin e SHBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe tregoi se si qeveria amerikane kishte bërë gabime në reagimin ndaj tyre.
“Ju jeni një shtet hebre, por ju jeni gjithashtu një demokraci. Ashtu si Shtetet e Bashkuara, ju nuk jetoni sipas rregullave të terroristëve. Ju jetoni sipas sundimit të ligjit. Ju nuk mund të hiqni dorë nga ajo që ju bën ata që jeni”,- tha Biden pas bisedimeve me udhëheqësit izraelitë.
Presidenti Biden njoftoi gjatë vizitës në Tel Aviv se do t'i kërkonte Kongresit amerikan këtë javë ndihmë ushtarake gjithëpërfshirëse për Izraelin.
Presidenti Joe Biden tha se shumica e palestinezëve nuk janë të lidhur me Hamasin. “Populli palestinez po vuan gjithashtu shumë”,- tha ai,
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi pas takimeve me presidentin Biden, se Izraeli do të lejojë kalimin e ndihmave të kufizuara humanitare për në Gazë përmes pikës kufitare Rafah me Egjiptin.
Vendimi u mor pas kërkesës së presidentit amerikan, Joe Biden, bëri të ditur zyra e Netanyahut.
Pika kufitare në Rafah është e vetmja pikë kalimi nga Gaza që nuk kalon përmes Izraelit, por ajo ka vetëm një kapacitet të kufizuar. (Elona)