Sulmi në Bruksel, kryeministri suedez bën thirrje për shtimin e kontrolleve kufitare të BE-së
2023-10-19 16:16:42

Foto Atsh

Kryeministri suedez Ulf Kristersson bëri thirrje për shtimin e kontrolleve kufitare të BE-së, pas vrasjes së dy tifozëve suedezë të futbollit në një sulm në Bruksel.

“Në Suedi dhe në BE duhet të kontrollojmë më mirë kufijtë tanë”, tha Kristersson, duke shtuar se autori i dyshuar, i cili u qëllua për vdekje nga policia belge, kishte qenë në Suedi për disa kohë përpara sulmit, raporton “ATSH”.

Dy shtetas suedezë u qëlluan për vdekje dhe një person i tretë u plagos në atë që kryeministri belg Alexander De Croo e quajti një sulm terrorist.

Pas sulmit, qeveria ndërmori masa të shtuara sigurie në një sërë vendesh, sidomos në ato të lidhura me komunitetin suedez.

I dyshuari besohet të jetë një shtetas tunizian, kërkesa e të cilit për azil ishte refuzuar.

“Gjithçka tregon se ky është një sulm terrorist i drejtuar kundër Suedisë dhe qytetarëve suedezë, vetëm sepse janë suedezë”, tha kryeministri Kristersson. (Irma)