Sulmi ndaj spitalit në Gaza, ushtria izraelite: E ka bërë Xhihadi Islamik
2023-10-19 11:38:49

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Forcat e Mbrojtjes izraelite kanë hedhur poshtë akuzat për sulmin vdekjeprurës në spitalin e Gazës. Sipas ushtrisë izraelite, goditja nuk mund të ishte rezultat i një sulmi ajror izraelit.

Zyrtarët palestinezë kanë fajësuar Izraelin për bombardimin që besohet se ka vrarë qindra njerëz, ndërsa zyrtarët izraelitë thonë se shpërthimi erdhi prej një rakete të lëshuar nga Xhihadi Islamik, raporton “RTSH”.

Duke përdorur imazhe që tregojnë dëmtime nga zjarri në disa automjete në parkingun e spitalit, pamjet e paraqitura nga IDF-ja sugjerojnë se një zjarr shpërtheu në spital si rezultat i një lëshimi të dështuar të raketës nga grupi i Xhihadit Islamik.

IDF-ja shtoi se nuk kishte shenja të dukshme të kratereve apo dëmtime të konsiderueshme në ndërtesa që do të rezultonin nga një sulm ajror.

“Paketa e parë e informacionit ishte dëshmi që mbështet faktin se nuk mund të ishte një bombë izraelite. Nuk ka pasur dëme kolaterale apo të konsiderueshme në ndërtesat përreth. Asnjë krater dhe asgjë që është e ngjashme me vendet ku kanë goditur bombat izraelite”,- tha zëdhënësi i IDF-së Jonathan Conricus.

Sipas tij, IDF-ja ishte e ngadaltë në lëshimin e informacionit sepse iu deshën orë të tëra që ushtria izraelite të hetonte dhe të arrinte në në një përfundim, transmeton “CNN”.

Lëvizja Xhihadi Islamik mohoi pretendimet e Izraelit se organizata qëndronte pas sulmit duke theksuar se nuk përdor objekte publike si spitalet për qëllime ushtarake, sipas një deklarate me shkrim të botuar të mërkurën, e cila i përshkruan akuzat izraelite si të rreme dhe të pabaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se ndërtesa po strehonte mijëra njerëz të zhvendosur kur u bombardua të martën, ndërsa shumë viktima mendohet se janë ende nën rrënoja. (Irma)