Foto nga VCG
Në pushimet e Ditës Kombëtare të Kinës, ka pasur një valë të madhe të konsumit në Kinë. Aviacioni civil, hekurudhat, autostradat dhe transporti detar pritën fluksin më të lartë të udhëtarëve dhe zonat kryesore turistike u mbushën me njerëz. Kjo përsëri demonstron hovin e fortë dhe qëndrueshmërinë e madhe të ekonomisë kineze. Të dhënat e fundit ekonomike konfirmojnë gjithashtu që rimëkëmbja e ekonomisë kineze po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës të publikuara më 18 tetor, GDP-ja në tre tremujorët e parë të këtij viti ishte 91 trilionë e 302.7 miliardë juanë, një rritje me 5.2 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Zv.drejtori i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, Sheng Laiyun, shprehet:
Ekonomia kombëtare vazhdon të marrë veten dhe të përmirësohet, prodhimi e furnizimi po rriten vazhdimisht, kërkesa e tregut vazhdon të zgjerohet, gjendja e punësimit dhe e çmimeve po përmirësohen përgjithësisht, cilësia e zhvillimit po rritet vazhdimisht dhe faktorët pozitivë po akumulohen.
Zëdhënësi i Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës, Lv Daliang, vëren:
Në tremujorin e parë, të dytë dhe të tretë, Kina importoi përkatësisht 4.23 trilionë juanë, 4.39 trilionë juanë dhe 4.58 trilionë juanë, me një shkallë që ka ardhur duke u zgjeruar. Midis tyre, importet nga Amerika Latine, vendet e ASEAN-it dhe Bashkimi Evropian janë shtuar të gjitha për dy tremujorë me radhë në radhë, me norma rritjeje përkatësisht prej 8.5 %, 6.3 % dhe 2.6 % në tremujorin e tretë.
Zv.presidenti i Bankës Botërore për Azinë Lindore dhe Paqësorin, Manuela V.Ferro, thotë:
Azia Lindore po rritet ende në një mënyrë shumë të fuqishme, rreth 5 %. Kjo është një rritje shumë e fortë. Pra, ajo që shohim këtë vit është një rimëkëmbje e gjerë e nxitur nga Kina, dhe shohim përgjithësisht në rajon një rimëkëmbje të eksportit. Ne presim një përmirësim të kërkesës globale në vitin tjetër.
Foto nga VCG
Më rritjen e kërkesës për konsum, edhe sektori i prodhimit po mëkëmbet shpejt. Të dhënat statistikore tregojnë që në shtator, treguesi i menaxherëve të blerjeve (PMI) në sektorin e prodhimit ishte 50.2 %, çka tregon që sektori i prodhimit është në rritje. Ndërkohë, sipas të dhënave logjistike, treguesi i mallrave të paambalazhuara (CBMI) ishte 103.6 %, që është niveli më i lartë qysh prej gushtit 2020. Kjo tregon që gjendja e ofertës dhe e kërkesës është në rritje.
Drejtori i Qendrës së Informacionit Logjistik të Kinës, Liu Yuhang, thekson:
Përmirësimi i përgjithshëm në gjendjen e mallrave të paambalazhuara tregon që gradualisht ekonomia jonë po përmirësohet, tregu po përtërihet dhe veprimtaria e përgjithshme ekonomike po bëhet më aktive.
Sipas të dhënave nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit e Kinës, niveli vjetor i rritjes së vlerës së shtuar të prodhimit të teknologjisë së lartë në muajin gusht u përshpejtua me 2.2 pikë përqindjeje krahasuar me një muaj më parë.
Foto nga VCG
Zv.drejtori i Departamentit të Kërkimeve Ekonomike të Qendrës së Studimeve të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, Xu Zhaoyuan, vë në dukje:
Rritja e sektorit të prodhimit në muajin gusht ka një veçanti të dukshme, që rritja e industrive të teknologjisë së lartë dhe me vlerë të shtuar të lartë është më e shpejtë se e sektorëve të tjerë dhe përmirësimi industrial po përparon vazhdimisht. Zhvillimi me cilësi të lartë i industrisë prodhuese mund të përmirësojë jo vetëm konkurrencën ndërkombëtare të industrive kineze, por edhe forcën shtytëse të rritjes ekonomike.
Partneri menaxhues i degës së kompanisë PwC në Kinë, Huang Yaohe, vë në dukje:
Kjo është ajo që kam vëzhguar dhe dëgjuar nga miqtë, kolegët dhe klientët e korporatës time shumëkombëshe, veçanërisht kur krahasojnë Kinën si një destinacion investimi me vende të tjera në Azinë Juglindore, në Evropë, apo në Amerikën Jugore. Këto janë elementet që po vlerësojnë dhe ata mendojnë se Kina është përpara shumicës së vendeve.
Me mëkëmbjen e vazhdueshme ekonomike të Kinës, shumë institucione të huaja kanë ngritur parashikimet e tyre për rritjen e GDP-së kineze në vitin 2023. “J.P.Morgan Chase & Co” e ngriti parashikimin e vet me 0.2 pikë përqindjeje, duke e çuar në 5 %. Ndërsa kompania “Goldman Sachs” pret që rritja ekonomike e Kinës në tremujorin e 4-t të arrijë në 5% dhe për tërë vitin, të shënojë shifrën 5.4 %.