Foto nga CFP
Një tren mallrash i ngarkuar plotësisht Kinë-Europë mbërriti të hënën në Madrid, treni i parë i nisur nga provinca Shanxi e Kinës veriore që arrin në Spanjë. Ngarkesa në bord përbëhej nga mallra të tregtisë elektronike dhe pjesë mekanike. Ngarkesa ishte e paketuar në gjithsej 55 kontejnerë dhe peshonte 925 tonë, bën të ditur “Xinhua”. Treni u nis nga Shanxi më 16 shtator, duke udhëtuar nëpër Kazakistan, Rusi, Bjellorusi, Poloni, Gjermani dhe Francë përpara se të mbërrinte në Madrid. Udhëtimi mbuloi një distancë totale të përafërt prej 12.000 kilometrash. Deri në gusht, provinca Shanxi kishte kryer 700 udhëtime me tren mallrash Kinë-Evropë që nga fillimi i shërbimit të parë të tillë në 2017-n, sipas autoriteteve lokale.
Provinca ka nisur aktualisht 15 trena mallrash Kinë-Evropë dhe trena mallrash Kinë-Azi Qendrore që lidhin 16 vende. (Elona)