Foto nga CFP
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se Gaza po përballet me një krizë të afërt të shëndetit publik, pasi po mbaron furnizimi me ujë. Agjencia e OKB-së bëri të ditur se jetët e më shumë se 3500 pacientëve në 35 spitale në Gaza janë në rrezik të menjëhershëm dhe bëri thirrje për akses të papenguar për ndihmën humanitare në enklavë, citon “RTSH”.
Të dielën, këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se zyrtarët izraelitë i kishin thënë se kishin hapur tubin e ujit në Gazën jugore. Një zëdhënës i Hamasit mohoi pretendimet e Izraelit, duke thënë se njerëzit në Gaza pinë ujë të ndotur, duke paraqitur një krizë serioze shëndetësore që kërcënon jetën e qytetarëve.
Kreu i Agjencisë së OKB-së për Mbështetjen e Refugjatëve Palestinezë tha se asnjë pikë ujë nuk është lejuar në Rripin e Gazës për më shumë se një javë.
“Duket se bota tani e ka humbur humanizmin. Uji është jetë. Gazës po i mbaron uji dhe Gazës po i mbaron jeta”, - u shpreh ai. (Elona)