Foto nga VCG
Të mërkurën u zhvillua në Pekin ceremonia e hapjes e Forumit të 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë”. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës, kryetari i shtetit dhe kryetari i Komisionit Qendror Ushtarak të Kinës, Xi Jinping, mori pjesë në këtë ceremoni dhe mbajti një fjalim me temën “Ndërtimi i një bote me hapje, përfshirje, ndërlidhje dhe zhvillim të përbashkët”.
Në këtë ceremoni, Xi Jinping-u shpalli që Kina do të mbështetë ndërtimin me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë” dhe për këtë qëllim janë përcaktuar tetë veprimet kryesore.
Foto nga Xinhua
1.
Ndërtimi i rrjetit të ndërlidhjes të “Një brez, një rrugë”
Kina do të përshpejtojë zhvillimin me cilësi të lartë të trenave të mallrave Kinë-Europë, do të marrë pjesë në ndërtimin e Korridorit Trans-Kaspik të Transportit Ndërkombëtar, do të zhvillojë forumin e bashkëpunimit ndërkombëtar lidhur me trenat Kinë-Europë dhe do të formojë me të gjitha palët kanalin e ri logjistik të Euroazisë me transport të drejtpërdrejtë hekurudhor dhe rrugor. Krahas kësaj, do të nxitet aktivisht zhvillimi kompleks i transportit detar dhe do të përshpejtohet ndërtimi i kanaleve të reja tokësore-detare dhe i Rrugës Ajrore të Mëndafshit.
2.
Mbështetja për një ekonomi të hapur botërore
Kina do të krijojë zonën pilot të bashkëpunimit të “Tregtisë elektronike në Rrugën e Mëndafshit”, do të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë e të mbrojtjes së investimeve me më shumë vende dhe do të heqë në mënyrë të gjithanshme masat kufizuese ndaj investimeve të huaja në sektorin e prodhimit. Kina do të nxitë hapjen me nivel të lartë të tregtisë së shërbimeve e të investimeve, do të lehtësojë hyrjen e produkteve digjitale e do të thellojë reformat në ndërmarrjet shtetërore, ekonominë digjitale, pronësinë intelektuale dhe prokurimet qeveritare. Krahas kësaj, Kina do të zhvillojë çdo vit Ekspozitën Globale të Tregtisë Digjitale.
Në pesë vjetët e ardhshëm (2024-2028), niveli i import-eksportit të tregtisë së mallrave dhe të shërbimeve pritet të arrijë përkatësisht mbi 32 trilionë dollarë dhe 5 trilionë dollarë.
3.
Bashkëpunimi praktik
Kina do të nxitë projektet simbol dhe “projektet e vogla, por të bukura” për jetesën e njerëzve. Banka e Zhvillimit e Kinës dhe Banka e Import-Eksportit e Kinës do të krijojnë secila kanale financimi prej 350 miliardë juanësh dhe Fondi i Rrugës së Mëndafshit do të shtohet me 80 miliardë juanë, me synim që të mbështetet bashkëndërtimi i projekteve të “Një brez, një rrugë”. Në konferencën e sipërmarrësve të zhvilluar gjatë forumit, janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me vlerë prej 97.2 miliardë dollarësh. Kina do të zbatojë 1 mijë projekte të vogla ndihme për jetesën e njerëzve. Me “pushishtet Lu Ban” do të nxitet bashkëpunimi në arsim profesional dhe do të forcohet garantimi i sigurisë për projektet dhe punonjësit e “Një brez, një rrugë”.
4.
Nxitja e zhvillimit të gjelbër
Kina do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin në infrastrukturën e gjelbër, energjinë e gjelbër dhe komunikacionin e gjelbër, do të shtojë mbështetjen për Aleancën Ndërkombëtare të Zhvillimit të Gjelbër të “Një brez, një rrugë”, do të vazhdojë të zhvillojë Konferencën e Inovacionit të Gjelbër “Një brez, një rrugë” dhe do të formojë mekanizmin e dialogut të sektorit fotovoltaik.
Krahas kësaj, Kina do të zbatojë praktikisht parimin e investimeve të gjelbra të “Një brez, një rrugë” dhe do të zhvillojë trajnim për 100 mijë veta në vendet partnere para vitit 2030.
5.
Nxitja e inovacionit teknologjik
Kina do të vazhdojë të zbatojë programin e inovacionit teknologjik “Një brez, një rrugë”, do të zhvillojë konferencën e parë të shkëmbimeve teknologjike të “Një brez, një rrugë”, do të shtojë numrin e laboratorëve të përbashkët me të gjitha palët në 100 në pesë vjetët e ardhshëm dhe do të mbështetë shkencëtarët e rinj të palëve të ndryshme të punojnë për një periudhë afatshkurtër në Kinë. Në këtë forum Kina do të propozojë Nismën e Qeverisjes Globale të Inteligjencës Artificiale dhe do të shprehë gatishmërinë për shtimin e komunikimit e për të nxitur bashkë me palët zhvillimin e rregullt dhe të sigurt të sektorit të inteligjencës artificiale.
Foto nga VCG
6.
Mbështetja për shkëmbimet njerëzore
Kina do të zhvillojë Forumin "Liangzhu" për të thelluar dialogun e qytetërimeve me vendet bashkëndërtuese të “Një brez, një rrugë”. Në bazën e krjimit të teatrit ndërkombëtar, festivalit artistik, muzeut, galerisë dhe librarisë të Rrugës së Mëndafshit, do të formohet edhe Aleanca e Qyteteve Turistike e Rrugës së Mëndafshit dhe do të vazhdojë programi i bursave qeveritare kineze “Rruga e Mëndafshit”.
7.
Ndërtimi i një rruge të pastër
Kina, bashkë me vendet e tjera partnere, do të publikojë “Arritjet dhe perspektivat e punës antikorrupsion të ‘Një brez, një rrugë’”, do të publikojë “Parimet e larta të ndërtimit të pastër të ‘Një brez, një rrugë’”, do të krijojë sistemin e vlerësimit të ndërmarrjeve dhe do të zhvillojë bashkë me organizatat ndërkombëtare studime dhe trajnim kundër korrupsionit.
8.
Përmirësimi i sistemit të bashkëpunimit ndërkombëtar të “Një brez, një rrugë”
Me vendet bashkëndërtuese të “Një brez, një rrugë”, Kina do të shtojë ndërtimin e platformave të bashkëpunimit në energjetikë, tatim-taksa, financë, zhvillimin e gjelbër, pakësimin e fatkeqësive, antikorrupsion, grupet studimore, media dhe kulturë. Kina do të vazhdojë të zhvillojë Forumin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë” dhe do të formojë sekretariatin e këtij forumi.