Nuk dënonte Hamasin, Këshilli i Sigurimit i OKB-së hedh poshtë rezolutën e Rusisë
2023-10-18 11:30:58

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka hedhur poshtë rezolutën ruse që dënonte dhunën dhe terrorizmin kundër civilëve, por nuk përmendte Hamasin, bën të ditur “RTSH”.

Vrasja e 1300 izraelitëve ishte masakra më e madhe ndaj hebrenjve që nga Holokausti nazist i Luftës së Dytë Botërore.

Miratimi ka nevojë për të paktën 9 vota “po” në këshillin prej 15 anëtarësh. Organi më i fuqishëm i OKB-së, i cili është i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, nuk ka arritur t'i përgjigjet sulmit të Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit dhe përgjigjes së Izraelit me sulme ajrore hakmarrëse që kanë vrarë më shumë se 2700 vetë dhe një urdhër për banorët e Gazës në veri për të shkuar në jug për të shmangur një luftë të pritshme tokësore.

Ndërkaq, ambasadorja e Britanisë në OKB, Barbara Woodward, tha se me refuzimin e rezolutës ruse, negociatat do të vazhdojnë për një rezolutë rivale braziliane.

Pas votimit, ambasadori rus Vassily Nebenzia tha se këshilli edhe një herë e ka gjetur veten peng të synimeve egoiste të bllokut perëndimor të vendeve dhe nuk arriti të dërgonte një mesazh kolektiv.

Ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield, tha se veprimet e Hamasit kanë çuar në krizën e tmerrshme humanitare me të cilën po përballet populli i Gazës.

Thomas-Greenfield tha se civilët nuk duhet të vuajnë për mizoritë e Hamasit dhe i kërkoi këshillit dhe komunitetit ndërkombëtar të ndihmojnë në adresimin e krizës humanitare të Gazës, të dënojnë Hamasin dhe të riafirmojnë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. (Elona)