Pas Blinken-it, edhe presidenti Biden udhëton drejt Izraelit
2023-10-18 11:38:51

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Pas sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, edhe presidenti amerikan Joe Biden udhëton drejt Izraelit.

Vizita e Biden, e njoftuar nga Blinken, pason një ditë të gjerë takimesh në Izrael nga diplomati më i lartë amerikan, që përfshinte një takim shtatë orë e gjysmë me kryeministrin Netanyahu dhe kabinetin e tij të luftës, shkruan “RTSH”.

Sekretari i Shtetit tha se vizita e Biden vjen në një moment kritik për Izraelin, rajonin dhe mbarë botën.

Presidenti amerikan do të udhëtojë gjithashtu në Jordani, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby. “Biden do ta bëjë të qartë se SHBA-ja dëshiron të vazhdojë të punojë me të gjithë partnerët në rajon, përfshirë Izraelin, për të marrë ndihmë humanitare dhe për të siguruar një lloj kalimi të sigurt për civilët”,- tha Kirby.

Vizita e Biden vjen në një kohë që SHBA po përpiqet të arrijë një ekuilibër delikat të ofrimit të mbështetjes së palëkundur për operacionet ushtarake të Izraelit, ndërsa zbut katastrofën humanitare në Gaza dhe ndalon përhapjen e luftës në fronte të mëtejshme. (Elona)