Foto nga CFP
Lumi Negro, një nga rrugët ujore kryesore në rajonin e Amazonës në Brazil, shënoi të hënën nivelin e tij më të ulët të ujit që nga viti 1902, me dhjetëra varka të bllokuara në shtratin e lumit në Portin Manaus, shkruan “Xinhua”.
Sipas informacioneve zyrtare nga Autoriteti Portual Manaus, lumi, një nga degët më të rëndësishme të Amazonës, arriti 13.59 metra, niveli më i ulët që nga fillimi i matjeve në vitin 1902, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 13.63 metrash të vendosur në vitin 2010.
“Kjo është thatësira më e keqe në Manaus”, tha një zëdhënës i portit.
Qindra varka u bllokuan në rërën e brigjeve të lumit, pasi thatësira ka vënë në kushte emergjence më shumë se 50 komuna në rajonin brazilian të Amazonës, raportojnë mediat lokale.
Tetori është një nga periudhat kur ujërat tërhiqen në pellgun e lumit Amazon, ndaj qeveria ka nisur një operacion për gërmimin e rrjedhave ujore për të lejuar lundrimin dhe për të shmangur mungesën e ujit në qytetet buzë lumenjve.
“Niveli i lumit Negro do të zbresë pak më shumë. Nga të dhënat historike, thatësirat e mëdha zgjasin nga fundi i tetorit deri në fillim të nëntorit”,- tha Renato Senna, klimatolog dhe studiues në Institutin Kombëtar të Kërkimeve Hapësinore të vendit. (Elona)